AKTIVITET TRAJNUES: “Paditë strategjike kundër pjesëmarrjes së publikut” 3 dhjetor 2025

Shkolla e Magjistraturës, më datë 3 dhjetor 2025, zhvilloi aktivitetin trajnues me temë: “Paditë strategjike kundër pjesëmarrjes së publikut.  Trajnimi i gjyqtarëve mbi paditë SLAPP", pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës, në Tiranë.

Ky aktivitet u drejtua nga: 

Ekspertë: Manjola Xhaxho dhe Aida Bushati

Lehtësues: Erind Mërkuri

Qëllimi i këtij trajnimi është: Qëllimi i këtij trajnimi është që të  rrisë njohuritë e gjyqtarëve dhe prokurorëve për të identifikuar, kuptuar dhe adresuar paditë SLAPP, përmes analizës juridike dhe instrumenteve mbrojtëse të disponueshme në nivel kombëtar dhe evropian, me qëllim garantimin e lirisë së shprehjes, mbrojtjes së interesit publik dhe parandalimit të abuzimit të sistemit gjyqësor. Të forcojë aftësinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve për të identifikuar elementët karakteristikë të padive SLAPP dhe për të aplikuar mekanizma proceduralë për refuzimin e hershëm të padive të pabazuara që synojnë “frenimin” e mbrojtësve të interesave publike e të drejtave të gazetarëve apo shoqërisë civile.

Trajnimi u realizua duke ndërthurur prezantimet (deri në 20-30 min) me diskutimin e çështjeve të shtruara (pyetjeve vetë studimore; pyetje-përgjigje) dhe ushtrimeve me raste praktike & kuize, për të nxitur dhe realizuar ndërveprimin aktiv të pjesëmarrësve. 

Gjatë këtij aktiviteti trajnues u trajtuan tema të ndryshme, si: 

-Liria e shprehjes, e garantuar nga instrumentet kryesore evropiane si Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut (Neni 10) dhe Karta e të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian (Neni 11), ka marrë një rëndësi të veçantë në kontekstin e zhvillimeve globale që karakterizohen nga inflacioni i informacionit dhe rritja e përdorimit të mjeteve digjitale të komunikimit dhe informimit. Në këtë realitet të ri, fenomeni i padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP) është identifikuar nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe është analizuar në jurisprudencën e saj si një kërcënim serioz ndaj debatit publik, transparencës dhe lirisë së shprehjes. Në nivel të Bashkimit Evropian, është miratuar Direktiva Anti-SLAPP, (BE) 2024/1069 e cila synon të ofrojë një kornizë të harmonizuar mbrojtëse për gazetarët, aktivistët dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut nga abuzimi me procedurat gjyqësore. Më konkretisht u analizuan: 

  • Përkufizime të rëndësishme: pjesëmarrësit publik, çështjet me interes publik, paditë e pabazuara, etj
  • Mbrojtjet proceduriale; garancitë, rrëzim i hershëm i padive, mjete të tjera mbrojtëse
  • Natyra ndërkufitare e padive dhe ndikimi në cështjet e brendshme. 

 

-Neni 10 i KEDNJ garanton lirinë e shprehjes si një e drejtë për të shprehur mendime dhe për të kërkuar informacion. Kjo liri është parakusht për liritë e tjera dhe përbën një nga shtyllat e shoqërive demokratike. Paditë kundër aktivistëve publikë nga persona privatë ose publik me pushtet (SLAPP) janë një fenomen në rritje në shoqëritë perëndimore.  GJEDNJ me jurisprudencën e saj ka luajtur një rol të rëndësishëm në identifikimin e elementëve kryesore të padive SLAPP duke zbërthyer elementët kryesorë të saj. Në këtë pjesë të trajnimin u analizua kjo jurisprudencë duke u ndalur konkretisht në:

  • Legjitimiteti i palëve;
  • Interesi publik
  • Parimi i proporcionalitetit
  • Doktrina e frenimit (frikësimit)
  • Balancimi i të drejtave

 

-Liria e shprehjes përveç akteve ndërkombëtare garantohet edhe nga legjislacioni i brendshëm i disa vendeve të ndryshme për të cilat ka filluar të zhvillohet edhe një jurisprudencë e caktuar. Në këtë pjesë u analizuan dispozitat e legjislacionit dhe raste konkrete, në lidhje me:

  • Kanadanë
  • Shtetet e Bashkuara të Amerikës
  • Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe të Irlandës së Veriut
  • Shqipërinë.

Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë gjyqtarë të Republikës së Shqipërisë.